Vajit i lulediellit shtrenjtohet deri 8 për qind, Importuesit: Çmimi do të arrijë 190 lekë/litër
Shtrenjtimi i karburanteve dhe transportit rrit çmimin e vajit të lulediellit deri në 8 për qind në tregun vendas.
Në tregun vendas ka nisur një tjetër valë shtrenjtimi për produktet ushqimore, ku këtë herë rritja e çmimeve ka prekur vajin e lulediellit. Sipas importuesve, gjatë muajit mars çmimi i shitjes me shumicë është rritur me rreth 7-8 për qind, si pasojë e kostove më të larta të furnizimit dhe transportit.
Në muajin shkurt, përpara nisjes së tensioneve në Lindjen e Mesme, vaji i lulediellit tregtohej me shumicë nga 176 deri në 178 lekë për litër. Nga java e tretë e marsit, çmimi u rrit me rreth 5 lekë për litër, duke arritur në 182 deri në 183 lekë për litër. Ndërkohë, nga fillimi i javës së fundit të muajit mars, importuesit paralajmërojnë një tjetër rritje prej rreth 7 lekësh për litër, duke e çuar çmimin në rreth 190 lekë për litër.
Shkaqet e rritjes së çmimeve
Sipas operatorëve të tregut, rritja e çmimeve lidhet kryesisht me shtrenjtimin e produktit nga fabrikat prodhuese dhe kostot më të larta të transportit. Prodhuesit në Hungari, nga ku furnizohet një pjesë e tregut shqiptar, kanë rritur çmimet për shkak të kostove më të larta të karburantit dhe lëndëve djegëse që përdoren në rafineritë e përpunimit.
Vetëm nga rritja e kostove të energjisë, çmimi i furnizimit është rritur me rreth 1.5 lekë për litër, ndërsa tarifat e transportit janë rritur ndjeshëm pas zhvillimeve gjeopolitike. Nëse gjatë muajit shkurt transporti i një ton vaj kushtonte 140 deri në 160 dollarë, tani ka arritur në rreth 200 dollarë për ton, duke shtuar edhe rreth 1 lek për litër në koston finale.
Rreziku i përsëritjes së krizës së 2022
Një situatë e ngjashme u regjistrua edhe në mars 2022, pas nisjes së luftës Rusi-Ukrainë, kur çmimi i vajit të lulediellit u rrit me rreth 33 për qind, duke arritur nga 249 lekë në 330 lekë për litër dhe më pas deri në 400 lekë për litër në kulmin e krizës.
Ekspertët theksojnë se mungesa e prodhimit vendas të vajit ushqimor vijon të mbetet një dobësi për ekonominë shqiptare, pasi nuk ekziston një “amortizator” për të përballuar goditjet e çmimeve nga tregjet ndërkombëtare.
Mungesa e prodhimit vendas
Shqipëria ka pasur më parë dy rafineri për përpunimin e vajit, atë të kompanisë “Olim” dhe të shoqërisë “Vajra bimore”, që tregtonte vajin “Fiol”. Megjithatë, prej vitit 2016 këto kompani nuk importojnë më vaj të papërpunuar për përpunim, por janë kthyer kryesisht në ambalazhues të vajit të përpunuar të importit.